Bashkimi Evropian njoftoi se, duke filluar nga tetori i këtij viti, do të fillojë zbatimi gradual i sistemit të ri që do t’i japë fund vendosjes së vulave nëpër pasaporta për shtetasit që nuk janë pjesë e bllokut evropian.
I ashtuquajturi Sistem i Hyrje/Daljes (EES – Entry/Exit System), fillimisht ishte paraparë të hynte në fuqi nëntorin e vitit të kaluar, por u shty në momentet e fundit pasi disa shtete ende nuk ishin të gatshme që ta zbatonin.
Sistem i Hyrje/Daljes (EES) është krijuar në nëntor të vitit 2017 dhe zbatimi i tij u shty disa herë. Sistemi pritet të vlejë për rreth 60 vende, përfshirë edhe ato të Ballkanit Perëndimor, për hyrjen e tyre në BE, si dhe në Zvicër, Norvegji, Islandë dhe Lihtenshtajn, të cilat janë pjesë e zonës Schengen.
EES-ja do të regjistrojë datën e hyrjes dhe daljes së vizitorëve dhe do të ketë të dhëna për qëndrimet e tejzgjatura dhe hyrjet e refuzuara.
Sipas sistemit të ri, udhëtarëve do t’u mblidhen të dhënat personale dhe biometrike – fotografitë e fytyrës dhe gjurmët e gishtërinjve.
Pasaportat në të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor janë biometrike; në çipet e tyre ruhen gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia, dhe janë plotësisht të harmonizuara me kushtet që ka kërkuar Bashkimi Evropian, në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të përfitojnë regjimin pa viza.
“Kjo do të rrisë sigurinë… duke na ndihmuar që të identifikojmë personat që tejkalojnë kohën e qëndrimit, të parandalojmë lëvizjet e parregullta dhe të ulim mashtrimet me dokumente dhe identitete”, tha Magnus Brunner, komisionar për Migrim.
Komisioni Evropian tha se për udhëtarët do të ketë fushata informuese në aeroporte dhe në pikëkalime kufitare në mbarë BE-në para se të nisë zbatimi i sistemit. Sipas tij, periudha gjashtëmujore, sa është vendosur koha për përshtatjen me këtë sistem, është kohë e mjaftueshme për shtetet anëtare, udhëtarët dhe bizneset që të përshtaten me sistemin e ri.
Sipas zbatimit të planifikuar në faza, vendet anëtare të BE-së duhet të fillojnë të operojnë sistemin në gjysmën e pikave kufitare pas tre muajsh dhe ta kenë tërësisht funksional atë pas gjashtë muajsh.

Liria është si ajri. E kupton vlerën që ka atëherë kur fillon të të mungojë.
Piero Calamandrei
