Marrëveshja për sigurimet shoqërore midis Italisë dhe Shqipërisë ka hyrë në fuqi më 1 korrik 2025.
Kjo marrëveshje dypalëshe ju mundëson punëtorëve ruajtjen e të drejtave të fituara nga kontributet në sistemet përkatëse të sigurimeve shoqërore, pa u penalizuar për shkak të lëvizjes ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë.
Sipas kësaj marrëveshje, periudhat e sigurimit të realizuara në Shqipëri dhe Itali bashkohen, për të mundësuar përfitimin e të drejtave nga sigurimet shoqërore, me kusht që periudhat të mos mbivendosen.
Pensioni llogaritet sipas legjislacionit të njërit shtet, nëse një person plotëson kushtet e pensionit në një shtet. Për shembull, nëse një person ka plotësuar 20 vite periudha sigurimi në Itali, dhe moshën e kërkuar, aktualisht 67 vjeç, periudhat e realizuara në Shqipëri nuk merren parasysh. Nëse nuk mjaftojnë periudhat për përfitim në një shtet, pensioni llogaritet sipas legjislacionit të të dy shteteve në mënyrë proporcionale.
Pensioni nuk llogaritet nëse periudha e sigurimit në një shtet është më pak se 52 javë (1 vit), por kjo periudhë mund të bashkohet me periudhat e realizuara në shtetin tjetër, vetëm nëse personi ka të drejtë për përfitim në atë shtet. Për shembull, nëse një person ka plotësuar 19 vjet e 1 muaj periudhë sigurimi në Itali dhe 11 muaj në Shqipëri, ai do të përfitojë vetëm pension italian dhe jo shqiptar.
Për të përfituar pension pleqërie në Shqipëri, personat e siguruar duhet të kenë një periudhë minimale sigurimi, jo më pak se 15 vite në të dyja vendet dhe të kenë arritur moshën e përcaktuar me ligj. Për burrat, mosha e përfitimit të pensionit të pleqërisë deri në vitin 2032, është 65 vjeç. Nga viti 2032 deri në vitin 2056, mosha e daljes në pension rritet me 1 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç. Ndërsa për gratë, prej vitit 2015 mosha rritet me 2 muaj çdo vit, deri sa të arrijë 67 vjeç në vitin 2056. Në vitin 2025 mosha e daljes në pension për gratë është 61 vjeç e 10 muaj.
Sipas legjislacionit italian, përfitojnë pension pleqërie të gjithë personat që kanë mbushur moshën 67 vjeç, si për burrat edhe për gratë, dhe kanë grumbulluar 20 vite periudha sigurimi. Për ata persona që kanë periudha kontributive vetëm pas vitit 1996, kërkohet që pensioni i llogaritur të jetë të paktën sa shuma e asistencës/ndihmës sociale, në Itali, ose mund të kërkohet në moshën 71 vjeç me të paktën 5 vite kontributive efektive.
Institucionet kompetente për zbatimin e kësaj marrëveshje janë si më poshtë:
Në Shqipëri: ISSH – Instituti i Sigurimeve Shoqërore
Në Itali: INPS – Istituto Nazionale della Previdenza Sociale
Burimi: Instituti i Sigurimeve Shoqërore / Istituto Nazionale della Previdenza Sociale

Sekreti për të shijuar pensionin është të gjesh kënaqësi në gjërat e vogla.
Victor Hugo
